Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja për naftën dhe benzinën
Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja tavan për naftën dhe benzinën në tregun vendas, të cilat hynë në fuqi sot në orën 13:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në një vendim të ri.
Sipas vendimit të publikuar nga Bordi i Transparencës, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për nënproduktin gazoil të standardit SSH EN 590 është përcaktuar në 198 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë në 186 lekë për litër.
Për benzinën e standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 185 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë në 173 lekë për litër.
Operatorët paralajmërohen për masa ndëshkuese
Bordi ka rikujtuar se të gjithë operatorët e tregut të karburanteve janë të detyruar të zbatojnë çmimet e miratuara, ndërsa në rast të shkeljeve parashikohen masa administrative, përfshirë edhe pezullimin e aktivitetit.
Në njoftim theksohet gjithashtu se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të vijojnë monitorimin e tregut për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencën e ndershme.
Akciza mbetet në nivelin e plotë
Sipas sqarimit të Bordit, referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, në rast se çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit kalon 220 lekë/litër ose ai i benzinës 200 lekë/litër, aplikohet niveli i reduktuar i akcizës në masën 80%.
Megjithatë, me çmimet aktuale të miratuara, të dyja nënproduktet mbeten nën kufijtë e përcaktuar në aktin normativ dhe për rrjedhojë akciza do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë, 100%.